Instalohen rreth 2000 panele fotovoltaike mbi digën e Qyrsaqit

TIRANË, 27 maj /ATSH – I. Vata/ Rreth 2000 panele fotovoltaike sunpower me fuqi 485 wp janë instaluar deri tani mbi digën e Qyrsaqit pranë HEC-it të Vaut të Dejës.

Deputeti i zgjedhur i PS-së Benet Beci deklaroi sot se prodhimi i energjisë diellore në Shqipëri tashmë është realitet e po ndodh me ritme të shpejta.

Ai tha se, “është risi e madje ende diçka e rrallë në botë, prodhimi i energjisë nga dielli nëpërmjet veshjes së digave me panele fotovoltaike. Në Shqipëri tashmë është realitet e po ndodh me ritme të shpejta”.

“Rreth 2.000 panele fotovoltaike sunpower me fuqi 485 wp janë instaluar deri tani mbi digën e Qyrsaqit pranë HEC-it të Vaut të Dejës. Më shumë se 20 % e punimeve është kryer e për pak muaj e gjithë faqja e digës do të jetë e mbushur me panele duke qenë në të njëjtën kohë impianti më i madh fotovoltaik në vend me një prodhim rreth 7.000 mwh/vit”, shprehet ai.